Shpesh herë shohim që bizneset bëjnë oferta për të fituar klientë të rinj. Si shembull, mund të jenë paketat preferenciale të telefonisë apo internetit që kompanitë ofrojnë për klientët që vijnë nga konkurentët. Por ka qindra raste të ngjashme. Sa e drejtë është kjo gjë në sytë e një klienti që ka 10 vite apo më shumë me kompaninë tënde, por nuk i merr dot mundësi të tilla?
Përse ndodh kjo?
Kjo ndodh sepse kompanitë punojnë më shumë për të fituar klientë, sesa për të mbajtur klientë. Dhe në fakt, ky është një gabim që mund të kushtojë shumë. Një klient i humbur kushton mesatarisht më shumë sesa fitimi që të sjell një klient i ri. Për 1000 arsye. Prandaj bizneset duhet së pari të vlerësojnë maksimalisht klientët besnik. Ata që kanë kohë të gjatë që përdorin produktet apo shërbimet e tyre. Prej tyre është arritur suksesi i deritanishëm dhe ata janë baza për të ardhmen. Ata janë burimi më i mirë i klientëve të rinj.
Dhe jo, nuk e kam fjalën vetëm për programet e kartave të klientit, që duhet të mbedhësh pikë për të marrë nje dhuratë të vogël. E kam fjalën për vlerësim të vërtetë. Që të kujtohesh për ta, t’i njohësh personalisht, t’i ofrosh shërbime ekstra pa pagesë (psh një kompani elektroshtëpiakesh që sheh se një klient ka kryer blerje prej 5000 eurosh në 5 vite, mund të ofrojë pa pagesë shërbimin e transportit apo instalimit për këto klientë.) Jo për të rinjtë, por për këta që kanë një histori blerjesh dhe besimi me kompaninë. Këta klientë duhet të ndihen të dëgjuar dhe t’i merren parasysh kritikat dhe sugjerimet. Nëse bëni të gjitha këto, keni siguruar biznesin tuaj për të gjithë jetën.