Kur klientët porosisin diçka online, një pjesë e rëndësishme e eksperiencës së kësaj blerjeje është mënyra e transportit të pakos nga shitësi, në dorën e blerësit. Më poshtë do të shohim 5 mënyra që pothuajse nuk ofrohen për momentin në Shqipëri.
1.Deri në derën e shtëpisë.
Nuk e di për ju, por mua më bën përshtypje kjo pjesë. Si ka mundësi që njerëzit edhe pse paguajnë nga 200-500 lekë për një transport të thjeshtë, përsëri duhet të lënë takime nëpër rrugë me korrierët, kur i takon këtij të fundit të shkojë deri në derën e shtëpisë së klientit. Ndoshta mungesa e një sistemi adresash në Shqipëri e vështirëson këtë, por është gjë që duhet bërë patjetër, qoftë me një tarifë pak më të lartë. Më pas, i takon bizneseve dhe korrierëve të mbajnë një listë klientësh me detaje të qarta për adresën e secilit. Në mënyrë që në porositë e rradhës, kjo punë të thjeshtohet.
2. Tarifë ekonomike.
Sapo porosita një aksesor telefoni në Aliexpress që kushtonte 0.5$ dhe transportin e kishte falas. Pra pakoja ime, shkon nga magazina në Kinë, nëpërmjet një makine, në qendrën e shpërndarjes, pastaj në aeroport. Pastaj hypën në avion dhe shkon në një aeroport tjetër, pastaj në një tjetër, pastaj vjen në aeroportin Nënë Tereza, e merr një makinë e postës dhe e sjell në postën afër shtëpisë time. Unë shkoj e marr aty, që në shumë raste është më thjesht se sa të rri të merrem me korrierët. E gjithë kjo është falas. Tani pse duhet të paguaj për një produkt që kushton 100 lekë, një tarifë poste 200 lekë brenda Tiranës?
Prandaj lind nevoja që të ofrohet një tarifë ekonomike, nëse klienti pranon të presë më gjatë për marrjen e porosisë, për shembull një javë. Në këtë mënyrë krijohet mundësia që kompanitë postare të optimizojnë routet e tyre duke ulur kostot.
3. Super shpejt.
Kjo është e thjeshtë. Për një tarifë Premium, për shembull nga 200 lekë në 300-400 lekë, klientit duhet t’i shkojë porosia shumë shpejt. Nëse piceria e përgatit picën, e pjek dhe e sjell në shtëpi brenda 30 minutash, falas ose për 50 lekë, atëherë pse të mos vijë edhe një produkt çfarëdo për një kohë kaq të shkurtër? Në rastet kur transporti është brenda qytetit ku biznesi ka magazinën, mund të vendoset limiti “brenda 1 ore”, në rast se është në qytet tjetër, sigurisht tarifa do të jetë më e lartë, ndërsa limiti mund të jetë “brenda ditës”.
4. Pick up points.
Kjo është ndër mënyrat e vetme që mund të funksionojë për momentin në Shqipëri, sepse e praktikojnë dyqanet online që kanë edhe dyqane fizike. Marrim shembullin e Zara, e cila nëse porositë online i merr në dyqanin e saj, atëherë nuk paguan kosto shtesë për delivery. Por klienti duhet ta ketë gjithmonë këtë mundësi. Bizneset duhet të caktojnë një apo disa vende magazinimi për porositë e tyre ku klientët mund të shkojnë për t’i tërhequr. Nëse kjo gjë ka kosto të larta për një biznes, atëherë disa biznese duhet të organizohen dhe të krijojnë diçka të tillë, ose kjo gjë mund të kthehet në ide biznesi më vete.
5. Kthim i menjëhershëm.
E kemi thënë vazhdimisht që çdo biznes që shet online duhet të pranojë kthime produktesh. Klientët nuk kanë faj nëse një veshje që kanë porositur, nuk i rri mirë. Nga ana tjetër, bizneset kanë disa argumente kundër kthimeve, një prej të cilave është kosto e korrierit për kthim, ndërsa një tjetër fakti që njerëzit mund të veshin fustanin për shembull për një event dhe të nesërmen e kthejnë. Atëherë ato dyqane që kanë vendosur të mos pranojnë kthimet, duhet të paktën t’i japin mundësi klientëve që të kthejnë “brenda 5 minutash” porosinë e tyre. Kjo gjë i lejon ta provojnë një veshje dhe nëse nuk e duan, ta kthejnë me të njejtin korrier. Kjo mundësi kuptueshëm është e përshtatshme vetëm për produkte të caktuara.
Në vendin tonë, dyqanet online heqin të gjithë përgjegjësinë nga vetja në momentin që korrieri merr porosinë. Por në fakt nuk duhet të jetë kështu. Klienti ka punë vetëm me dyqanin ku ka kryer blerjen. Nëse transporti e zhgenjen, fajin ja vë dyqanit. Prandaj nëse kompanitë postare nuk arrijnë t’ju ofrojnë mundësitë e mësipërme, ndoshta ka ardhur koha që një pjesë të shpërndarjeve ta merrni përsipër vetë.