Kemi shkruar e folur edhe herë të tjera për kohën, por sot dua të ndaj me ju disa ide shtesë rreth çështjes së vlerës së saj.
Shumë njerëz thonë që koha nuk shitet dhe blihet, që është pa çmim. Por në fakt ajo është ndër asetet me të cilën bëhet numri më i madh i transaksioneve në botë. Çdo njeri që ka arritur pasuri e kupton këtë, sepse blen kohën e të tjerëve që ata të punojnë për të, për të fituar akoma më shumë për vete.
Ata që punojnë për dikë tjetër shesin përveç aftësive të tyre edhe kohën. Por koha nuk shitet vetëm në marrëdhënie pune. Mendoni se si Facebook, Instagram apo Netflix, përpiqen çdo ditë me strategji të reja që të na mbajnë sa më shumë kohë në platformën e tyre. Sa më shumë kohë i falim ne atyre, aq më shumë fitojnë ata.
Ndoshta ka ardhur momenti që të ndryshojmë. Mund të humbasim brenda ditës punën, makinën, shtëpinë, por të gjitha këto mund t’i rekuperojmë pas disa muajsh. Por kohën, nuk e rekuperojmë dot. Prandaj le të fillojmë të mendojmë si e shpenzojmë atë. Kush përfiton më shumë nga koha që ne shpenzojmë? Ne apo dikush tjetër?