Një nga fjalët që shoqëron më shpesh çmimin e një produkti është fjala “vetëm”.
E keni parasysh besoj.
Ky set tenxheresh kushton vetëm 90 euro.
Ky apartament afër liqenit kushton vetëm 200 mijë euro.
Bëjeni tuajin këtë krem fytyre vetëm për 50 euro.
iPhone 12 në dyqanin tonë është vetëm 1300 euro.
A ka ndonjë kuptim kjo fjalë? “Vetëm” në krahasim me çfarë? A po na bën nder biznesi juaj që po na jep këtë çmim?
Apo po mundoheni të vendosni një çmim më të shtrenjtë sesa produkti vlen dhe këtë gjë po përpiqeni ta mbuloni?
E kuptoj synimin që kjo frazë ka. Pra për të bërë njerëzit të mendojnë se ky është një çmim i mirë, i leverdisshëm, më lirë se diku tjetër.
Por a jane konsumatorët e sotëm kaq dele? A nuk është më mirë që bizneset të tregohen të guximshëm kur reklamojnë produktet e tyre dhe të thonë “Çmimi është kaq, sepse cilësia është kjo dhe produkti ju ndihmon në këtë mënyrë.”
Le të mundohemi t’i shmangim këto fjalë pa kuptim të shpikura nga marketingu i viteve 70 dhe të gjejmë mënyra ndryshe për të tërhequr klientët.