Erdhi edhe njëherë koha kur të gjithë bëjmë një listë në mendjen tonë për gjërat që duam të arrijmë vitin që vjen. Për të përmbushur diçka, ose për të hequr dorë nga diçka.
Por si duhet të jetë një listë perfekte synimesh? Po marr si shembuj më poshtë synime me lekë, por sigurisht çdokush duhet të ketë synime të sferave të ndryshme: zhvillim personal, shëndet, familje, etj.
Për mua duhet të ketë 3 elementë kryesorë:
1. Synimet të jenë të matshme.
Për të marrë një shembull banal, nuk mund të jetë synim “Të fitoj shumë lekë”, por duhet të jetë “Të fitoj 10.000 euro këtë vit”.
2. Më mirë një synim i vështirë.
Në kuptimin që nëse objektivisht ti mendon se mund të arrish të fitosh 10K euro, pse jo të synosh më shumë? Pse jo 20K euro? Ideja është që nëse vendos synim 10K, i gjithë planifikimi që do të bësh është për 10K dhe nëse ja arrin, bravo! Por a ke bërë maksimumin? Ndoshta jo.
Dhe për të kuptuar këtë, gjithmonë vendosni një synim më të lartë se ai që shpresoni të arrini. Nëse ky synim do të ishte 20K dhe plani bëhet për të fituar 20K, mund të dështoni të arrini synimin, por ndoshta do të arrini 13K euro. Që është më mirë se 10K.
3. Synimet të shoqërohen me planet përkatëse.
Një synim pa plan është asgjë. Duhet patjetër një ide se si do ta arrish atë që do. Në rast se synimi është të fitosh 20K në vit, nga të cilat supozojmë 8K i arrin nga paga, çfarë tjetër mund të bësh për të shtuar 12K në vit? Një punë të dytë? Një dyqan online? Ofrim i shërbimeve që ke aftësi si freelancer? Një biznes i vogël familjar? Apo kombinim i disa kanale të ardhurash?
Bid ju uron sa më shumë shëndet dhe realizim qëllimesh në 2021. Me sa më tepër besim, këmbëngulje dhe pasion.
Gëzuar!
2 Komente. Leave new
A keni module si te ndertojme nje plan biznesi ?
Planet e biznesit duhet të përshtaten sipas madhësisë dhe industrisë së biznesit dhe se për çfarë do shërbejë (për referencë të brendshme, për aplikim kredie, etj). Të përbashkëtat e çdo plani janë këto kapituj bazë:
1. Përmbledhja (që përfshin pak nga të gjithë pikat
2. Ideja e biznesit (që përfshin analizën e tregut, produktet, klientët, konkurentët, etj)
3. Ekzekutimi (plan marketing dhe shitje, kjo është pika që kërkon më shumë punë dhe përmbajtje)
4. Menaxhimi dhe burimet njerëzore
5. Plani financiar (financimi, parashikime, pasqyra, etj)