Të arriturit në një pozicion menaxherial sjell përgjegjesi të shtuara në punën e përditshme të individëve. Promovimi nga punonjës i thjeshtë në menaxher, mund të mos jetë një proces i lehtë për të gjithë. Më poshtë po tregojmë 5 pika mbi të cilat Bota e Menaxhimit (në varësi të rolit specifik menaxherial) ju këshillon të mbështeteni për ta bërë këtë ndryshim sa më të natyrshëm dhe frytëdhënës për ju dhe kompaninë ku punoni. Sigurisht, disa pika mund t’u hyjnë në punë edhe menaxherëve më të vjetër.
1. Financat (buxheti)
Është e rëndësishme të njiheni sa më shpejt me çështjet financiare që lidhen me pozicionin tuaj. Në këtë mënyrë mund të dini menjëherë se çfarë është e arritshme dhe çfarë jo. Gjithashtu edhe përmes analizave që ju do të bëni në të ardhmen, mund t’u vini në dukje menaxherëve sipër jush, nëse buxheti juaj është i mjaftueshëm, nëse do të kërkoni rritje buxheti dhe për çfarë arsyeje. Duhet të njiheni në mënyre perfekte me kostot me të cilat keni lidhje dhe me çmimet e produkteve nëse jeni menaxher shitjesh apo marketingu.
2. Menaxhimi i klientëve
Jo çdo pozicion menaxherial ka të bëje drejtpërdrejtë me klientët e kompanisë, por për menaxherët që do të kenë lidhje me klientët, kjo pikë ndoshta është më e rëndësishmja. Sipas një ‘rregulli’ të famshëm, nga lista totale e klientëve, 20% e tyre sjellin në kompani 80% të të ardhurave. Prandaj kërkoni listën e klientëve me gjithë të dhënat e tyre të viteve të fundit. Identifikoni ata më të rëndësishmit dhe kujdesuni që t’i kënaqni sa më shumë. Gjithashtu, analizoni klientët më të vegjël për të rritur shitjet edhe me ta. Takojini klientët, dëgjojini me kujdes dhe vëreni veten në vend të tyre.
3. Takime të rregullta me vartësit
Një nga llojet e reja të suksesshme të takimeve të punës, janë ato ‘kokë më kokë’. Mbledhjeve me shumë persona u ka dalë tashmë nami si të lodhshme dhe që nuk sjellin ndonjë rezultat. Ndërsa takimet personale me vartësit, përveçse jane më produktive në kuptimin e gjërave, krijojnë edhe më tepër lidhje të ngushtë në marrëdhënien menaxher-vartës. Kjo shton besimin reciprok dhe dëshirën për t’i bërë gjërat në interes të të dyja palëve. Ju si menaxher do të kuptoni shumë shpejt nëse diçka nuk shkon me punonjësit dhe si mund të rregullohet një problem. Gjithashtu, edhe ata nga ana e tyre do të jenë më të hapur dhe të pandikuar nga prania e të tjerëve. Nëse këto takime do të vendosen për shembull 1 herë në javë, në të njëjtën ditë dhe orë, kjo do të bëjë që të dyja palët të vijnë në takim të përgatitur dhe ta marrin atë me seriozitet.
4. Përshtatja e misionit/strategjisë me detyrën e re
Megjithëse misioni i kompanisë është një për të gjithë dhe çdo pjestar i organizatës duhet të punojë për të, mënyra se si i përshtatet misioni profesioneve të ndryshme nuk është e njejtë. Kjo vlen edhe për strategjinë. Prandaj, kontributi i një punonjësi në realizimin me sukses të misionit të kompanisë, është e ndryshme nga ajo e një menaxheri. Me këtë dua të them se shumë menaxherë të rinj, vazhdojnë të mendojnë si punonjës dhe të mos kryejnë siç duhet detyrën e tyre të re. Ata mund të vazhdojnë të merren me detyrën e tyre të vjetër duke ju dukur ajo më e rëndësishme. Por kështu ata harrojnë detyrat e tyre të reja, si menaxhimin e vartësve, planifikimin, implementimin e strategjive, apo kontrollin.
5. Menaxhimi përmes të ecurës vërdallë
Një tjetër gabim që menaxherët bëjnë është të mbyllurit në zyrë. Nuk mund të kuptosh asnjëherë se çfarë ndodh jashtë mureve të zyrës vetëm duke parë një tufë me dokumenta apo duke kërkuar në kompjuter e internet. Një menaxher duhet të njihet me terrenin ku ndodh puna e vërtetë, qoftë ky vend në mes të rrugës, në stallë lopësh, në sallë rrobaqepsie, etj. Vetëm duke ecur vërdallë dhe duke parë atmosferën e përgjithshme të punës, mund të kuptohen disa gjëra. Mund të kuptohet energjia e punonjësve, dëshira e tyre në punë, sjelljet e tyre mes njëri-tjetrit, apo cilat janë pakënaqësitë.
Cilat kanë qenë apo janë problemet kryesore që keni hasur kur keni marrë për herë të parë rolin si menaxher? Nëse keni këshilla për menaxherët e rinj, ju ftojmë t’i ndani me ne në komente.